NUREDINI: Mbrojtja e mjedisit hap potencial të madh për investime dhe bashkëpunim

Nuredini_DubaiMinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini dhe zëvendëskryeministri i përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve, Fatmir Bytyqi, janë takuar sot në mëngjes në selinë e Odës Ekonomike të Dubait me Presidentin dhe drejtorin ekzekutiv Hamad Buamim dhe drejtues i ngushtë i Odës Ekonomike.

Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi, theksoi se Odat Ekonomike janë krijues të ideve që ofrojnë zgjidhje për problemet reale të biznesit dhe prezantojnë mundësi investimi në vendin tonë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ofron një gamë të gjerë mundësish për të mbështetur investimet në prodhim, sektorine energjisë, bujqësi, ndërtim, turizëm, por edhe për mbrojtjen e mjedisit në pjesën e fabrikave të përpunimit të mbeturinave, si pjesë e ekonomisë rrethore.

“Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa serioze për ruajtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e burimeve natyrore që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët, si uji dhe ajri,” tha Nuredini, duke shtuar se aktualisht janë duke u realizuar një numër i madh i objekteve të infrastrukturës komunale dhe impianteve të trajtimit dhe është planifikuar të realizohen edhe disa investime në fabrikat e përpunimit të mbeturinave, për të përmirësuar ekonominë rrethore dhe për të përdorur me mençuri burimet në dispozicion.

Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Emiratit të Dubait ka potencial të zhvillohet me ritme më të shpejta se më parë, përfunduan në takimin zëvendëskryeministri Bytyqi, ministri Nuredini dhe kryetari i Odës Ekonomike të Dubait Buamim, dhe ranë dakord të vazhdojnë komunikimin e ndërsjellë dhe të shkëmbejnë informacione shtesë në të gjitha nivelet për të rritur mundësitë për bashkëpunim ekonomik.

Takimi u shoqërua nga ambasadori i vendit tonë në EBA, Abdulkadar Memedi, si dhe përfaqësues të katër odave më të mëdha ekonomike: Antoni Peshev (Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut), Trajan Angelloski (kryetar i Shoqatës së Odave Ekonomike), Nebi Hoxha (kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore) dhe Aneta Antova Pesheva (kryetare e MASIT).

Në kuadër të vizitës dyditore, delegacioni zyrtar do të jetë pjesë e ceremonisë së sotme me rastin e Ditës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut në Ekspo Dubai 2020 dhe do të marrë pjesë në konferencën e nesërme të biznesit.