PODGORICE: Seanca e parë e përbashkët e Qeverive të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Malit të Zi

(2019/05/24) Sot, në Podgoricë të Malit të Zi mbahet seanca e pare e përbashkët e Qeverive të Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi. Ky takim i përbashkët midis dy Qeverive ka për qëllim forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke promovuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë në të dyja anët. Me rëndësi të veçantë është shkëmbimi i njohurive mbi aktivitetet aktuale që zhvillohen në institucione, si dhe për ato që janë planifikuar në të ardhmen, dhe kanë për qëllim transponimin e plotë dhe zbatimin e legjislacionit Europian, në rrugën tonë të përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë vizitës në Malin e Zi, Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadullah Duraku u takua me Ministrin e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit, Pavle Raduloviç ku u shkëmbyen mendime për bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen mes dy vendeve në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.