Punë intenzive për mbrojtjen e ujërave në rajonin e Pollogut

(22.03.2016) Sot, në komunën e Bogovinjës ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës Hazbi Idrizi nënshkruan marrëveshjen për financimin e projekteve për Rikonstruksionimin e kullës së ujit –rezervoari i sistemit për ujitje në v.q. Sedllarca e Epërme dhe për rindërtimin e sistemit të kanalizimit për v.q. Pirok.

- Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor punon me përkushtim për zgjidhjen e problemeve të banorëve për furnizimin e tyre me ujë të pastër të pijshëm si dhe për trajtimin e ujërave të zeza edhe atë jo vetëm në rajonin e Pollogut por në tërë territorin e vendit – theksoi ministri Izairi. Ministri Izairi dhe kryetari i komunës Idrizi theksuan bashkëpunimin e mirë midis Ministrisë dhe Komunës duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të sigurimit sistematik të infrastrukturës së domosdoshme për një jetë më cilësore të banorëve lokalë dhe për një mjedis të shëndoshë.

Projekti financohet përmes Programit për envestime në mjedis për vitin 2016 dhe duhet të përfundojë brenda tre muajve.