Do të përmirësohet zbatueshmëria praktike e Ligjit të mbetjeve elektrike dhe elektronike

2(06.05.2015) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe ambasadori i Hungarisë në Maqedoni Jozhef Bence iu drejtuan të pranishmëve në hapjen e konferencës me temë: ”Ligji i pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe mbetjeve të pajisjeve elektrike dhe elektronike – si deri te zbatimi praktik“, e cila u mbajt me qëllim të theksimit të çështjeve të hapura nga aspekti i zbatimit praktik të rregullativës dhe dhënies së drejtimeve për implementimin e saj të mëtutjeshëm të suksesshëm .

Në fjalimin e tij, ministri Izairi theksoi nevojën e diskutimit të Ligjit për menaxhimin me pajisjet elektrike dhe elektronike dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike në vend, sidomos për shkak të faktit se edhe pas dy vitesh nga hyrja e tij në fuqi ende po përballemi me probleme gjatë implementimit të tij.

- Praktika tregon se mungon fushatë më e gjerë dhe promovim i dispozitave ligjore, por edhe detektim dhe tejkalim i mangësive eventuale në sistem. Pres që konferenca e sotme të jetë stimuluese, sidomos për kryetarët e komunave, të cilët janë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në procesin e vendosjes së strukturës që është e domosdoshme për procesin e implementimit të Ligjit- theksoi Izairi.

Sipas ambasadorit Bence, Qeveria e Hungarisë me kënaqësi do të vazhdojë të jap ndihmë dhe mbështetje për zbatimin e drejtë të rregullativës. Ambasadori theksoi se përvec nevojës për depozitim të rregullt dhe riciklim të pajisjeve të dëmshme elektrike dhe elektronike, është e domosdoshme edhe përgatitja adekute e popullatës që përfshinë edukimin e të rinjve në sferën e mjedisit jetësor të pastër dhe të shëndetshëm si dhe përfshirja e institucioneve arsimore dhe mediave në ngritjen e vetëdijes për këtë çështje. Ai shtoi se hapat e parë në këtë drejtim, nga ana e Ambasadës hungareze në bashkëpunim me kompaninë komunale “Eko Klub”, tanimë janë bërë me vendosjen e 200 kutive metalike për këtë lloj mbeturinash në relacionin Tabanoc – Gjevgjeli dhe Shkup- Kërçovë.

Momentalisht, në BE shiten prej 11 deri 12 milionë tonë pajisje elektrike dhe elektronike në vit, që është shkak për krijimin e sasive të mëdha të mbetjeve. Rreth 90% të mbetjeve mënjanohen në deponi, digjen ose shfrytëzohen sërish pa kurrfarë trajtimi paraprak. Në këtë mënyrë, materiet ndotëse, siç janë metalet e rënda dhe të tjera, përfundojnë në tokë, ujë dhe ajër dhe paraqesin rrezik të madh për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin jetësor.

Nga ana tjetër, këto pajisje mund të përmbajnë ar dhe metale tjera të çmueshme, si dhe çelik, plastikë, qelq dhe materiale tjera që mund të riciklohen. Të njejtat janë shumë të vlefshme për t’u shfrytëzuar vetëm një herë dhe për t’u hedhur. Tërë kjo e imponon nevojën e menaxhimit adekuat me mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike.

Në këtë konferencë, të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetari i Asociacionit të lëndëve të para sekondare dhe ricikluesve, Vllado Momirovski, ndërsa në kuadër të saj, përfaqësues të recikluesve të certifikuar të mbetjeve elektrike dhe elektronike nga Hungaria i ndanë përvojat e veta rreth kësaj problematike.