Promovohet projekti i BE-së për përforcimin e kapaciteteve për zbatueshmërinë e legjislacionit në mjedisin jetësor

1(28.04.2015) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian Aivo Orav, ambasadori i Spanjës Ramon Karanza, zëvendës shefi i misionit në ambasadën e Holandës Peter Ferheien dhe drejtori i Inspektoratit të mjedisit jetësor Firuz Memed, iu drejtuan të pranishmëve në promovimin e dy projekteve, të financuara nga Bashkimi Evropian: projektit tvining “Përforcimi i kapaciteteve në nivel lokal dhe shtetëror për zbatimin e legjislacionit nga sfera e mjedisit jetësor “dhe projektit  për ndihmë teknike “Përforcimi i kapaciteteve për zbatueshmërinë e legjislacionit në mjedisin jetësor në nivel lokal “.

Ministri Izairi shprehu bindjen e vet se përmes projekteve që u promovuan sot do të përmirësohet menaxhimi me mjedisin jetësor

si dhe monitorimi dhe zbatimi i legjislacionit nga sfera e mjedisit jetësor në nivel lokal dhe do të përforcohen kapacitetet administrative në komuna për përballje me problemet dhe sfidat për ruajtjen e mjedisit jetësor.   Njëherësh, do të përmirësohet bashkëpunimi mes pushtetit lokal dhe qendror në zbatimin e legjislacionit nga sfera e mjedisit jetësor.

Përfitim nga projekti, në radhë të parë do të kenë 9-të komunat pilot nga 3 rajonet në Republikën e Maqedonisë, por gjithashtu edhe të gjitha komunat tjera, meqë do të përfshihen në trajnimet dhe do të jenë shfrytëzuese të dokumenteve që do të dalin nga projekti-theksoi ministri Izairi.

Sipas tij, projekti tvining për përforcimin e kapaciteteve për zbatimin e mbikëqyrjes inspektuese në nivel lokal dhe qendror është me rëndësi të veçantë, sepse është e rëndësishme të sigurohen të gjitha kushtet për zbatimin e legjislacionit si dhe të gjenden subjektet përgjegjëse në rast se i njejti nuk respektohet.

Në fjalimin e tij, evroambasadori Aivo Orav theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë financiarisht sektorin e mjedisit jetësor, duke shtuar se suksesi është i garantuar nëse shteti investon për administratë profesionale, nëse ndërton infrastrukturë të shëndoshë dhe këmbëngulë në përpjekjet për ngritjen e vetëdijes publike rreth kësaj problematike.

Drejtori i Inspektoratit të mjedisit jetësor Firuz Memed, theksoi se Inspektorati shtetëror i mjedisit jetësor përmes projektit tvining do t’i unifikojë praktikat për kryerjen e mbikëqyrjes inspektuese dhe posaçërisht do të zgjerojë njohuritë teknike për të gjithë inspektorët në dy nivele, me çka do t’i sjellë standardet evropiane për inspektim në mjedisin jetësor.

Në këtë ngjarje u prezentuan informatat për pajisjen më të re dedikuar për pushtetin lokal dhe qendror në sferën e mjedisit jetësor e siguruar me mjete të fondeve të BE-së.