Fillon projekti për përforcimin e kapaciteteve administrative për transponimin dhe implementimin e Direktivës së re për Emisionet Industriale

twining1(10.02.2016)Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, sot, e hapi takimin fillestar të tvining projektit për Përforcimin e kapaciteteve administrative në nivel qendror dhe lokal për transponimin dhe implementimin e Direktivës së re për Emisionet Industriale.

- Direktiva e re paraqet një instrument kryesor për preventimin e emisioneve nga aktivitetet e mëdha industriale. Zbaton qasje të integruar, që ka për qëllim parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga të gjitha aspektet siç është ajri, toka, uji, përdorimi i burimeve/energjisë, si dhe gjenerimin e mbeturinave nga vet aktivitetet industriale. Gjithashtu, i përcakton parimet bazë për dhënien e lejeve dhe kontrolleve bazuar në një zbatim më të rreptë të Teknikave më të Mira në Dispozicion (BAT)- theksoi me këtë rast ministri Izairi.

Vlera e këtij projekti është 900.000 euro në kohëzgjatje prej 15 muajsh, ndërsa ka filluar që të zbatohet më 1 tetor të vitit 2015.

Përbëhet nga 4komponenta, në kuadër të të cilit do të kryehet vlerësimi i ndikimit ekonomik ndaj sektorit industrial gjatë zbatimit të Direktivës. Do të përgatitet edhe Ligj i ri për Kontrollin e Emisioneve Industriale si dhe aktet nënligjore që dalin prej tij. Administrata qendrore dhe ajo lokale do t’i përforcojë kapacitetet e saja për implementim të rregullt të dispozitave të reja ligjore përmes hartimit të manualeve dhe udhëzimeve për zbatim praktik të Direktivës, përmes mbajtjes së trajnimeve, punëtorive dhe seminareve, si dhe përmes analizimit, vlerësimit dha hartimit të pilot A dhe B Lejeve. Gjithashtu, në kuadër të këtij projekti do të përgatitet edhe një listë prioritare me pajisje të nevojshme për zbatimin e Direktivës së re për Emisionet Industriale.

Partnerë për realizimin e këtij projekti është: Austria, përmes Agjencisë së Mjedisit Jetësor të Austrisë (si partner kryesor), dhe Spanja përmes dy institucioneve, Ministrisë Rajonale të Mjedisit Jetësor, Planifikimit Hapësinor dhe infrastrukturës së Galicisë dhe Fondacionit Ndërkombëtarë të Administratës Publike dhe Politikave Publike – FIIAPP (si partnerë më të vogël).

Në mbledhjen fillestare fjalim mbajtën edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni E.T. Aivo Orav, zëvdendëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, ambasadori i Austrisë E.T. Renate Kobller, ambasadori i Spanjës E.T Ramon Abaroa Karanza dhedrejtori i Agjencisë së Mjedisit Jetësor të Austrisë Georg Reberning.