TAKIMI I MINISTRIT DURAKI ME PËRFAQËSUESIT E BANKËS EVROPIANE PËR RIPËRTRIRJE DHE ZHVILLIM

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadullah Duraki, realizoi takim pune me Anka Joana Jonesku, përfaqësuese e Bankës Evropiane për Zhvillim të Maqedonisë (BERZH) dhe Biljana Millosheska, ndihmës drejtor në BERZH.

Në këtë takim fillestar përveç njohjes me aktivitetet aktuale dhe të planifikuara të Qeverisë në mbrojtjen e mjedisit jetësor u shqyrtuan edhe fushat e mundshme për bashkëpunim.

Interes të veçantë të dy institucionet treguan në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ku Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e ka përgatitur dokumentacionin e projektit për ndërtimin e deponive rajonale për mbeturinat komunale, stacionet e transferimit dhe dokumentacionin e projektit për mbylljen e deponive jostandarde për 4 rajonet: rajonin e Shkupit, Vardarit, Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor dhe kërkohen mundësi për mbylljen e konstruksionit financiar për ndërtimin e kësaj infrastrukture dhe mbylljen e deponive jostandarde.

Gjithashtu, u shqyrtuan edhe mundësitë për sigurimin e mbështetjes financiare për realizimin e projekteve në fushën e mbrojtjes së ujrave.