Promovohen ujëmatësit e montuar për katër venbanime në komunën e Bogovinës: Kamjan, Pallçishtë e Poshtme, Kallnik dhe Siniçan

minister_1(16.09.2016) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Bashkim Ameti, sot iu drejtua të pranishmëve në promovimin e pilot projektit “Blerja dhe montimi i instrumenteve matëse – ujëmatësve për katër vendbanime në komunën e Bogovinës: Kamjan, Pallçishtë e Poshtme, Kallnik dhe Siniçan“, në kuadër të të cilit do të montohen 2.800 ujëmatës, me të cilët do të sigurohet shfrytëzim racional dhe i qëndrueshëm i ujit të pijshëm në këtë komunë.

- Me këtë masë presim të zgjidhet problemi i kahmotshëm me mungesën e ujit të pastër për pije, me të cilin po përballen banorët e kësaj komune si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve klimatike. Me shfrytëzimin e instrumenteve matëse do të sigurohet menaxhim i qëndrueshëm me resurset ujore, si një ndër sektorët më të ndjeshëm të ndryshimeve klimatike, do të rritet efikasiteti i sistemit të furnizimit me ujë në këtë komunë, njëherësh do të ngritet edhe vetëdija te popullata lokale për rëndësinë e shfrytëzimit racional të resurseve ujore për përshtatje më të lehtë ndaj ndryshimeve klimatike – theksoi me këtë rast ministri Ameti.

Më tej, ai potencoi se në kuadër të projektit, në komunën e Bogovinës është realizuar edhe masa për përballje me rreziqet dhe dëmet nga dalja e mundshme e lumenjve nga shtretërit e tyre në të ardhmen në Pirok, Kamjan, Pallçishtë, Novo Sellë dhe Bogovinë, ndërsa vet procesi rezulton me zhvillimin e strategjisë afatgjate për ndryshimet klimatike në komunë.

Моntimi i instrumenteve matëse u realizua si pjesë e projektit të USAID-it për Strategji komunale të ndryshimeve klimatike, që u zbatua nga Milieukontakt Maqedoni.

Në këtë promovim, të pranishmëve iu drejtuan edhe ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli dhe kryetari i komunës së Bogovinës Hazbi Idrizi.