Përmes programit IPA do të zgjerohet rrjeti i kanalizimit në komunën e Kumanovës

1 - kumanovoMinistri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës së Kumanovës Zoran Damjanovski, sot në ambientet e komunës zhvilluan një takim, në të cilin u morën vesh për punët përgatitore për hartimin e dokumentacionit teknik për zgjerimin dhe rehabilitimin e sistemit të kanalizimit në qytetin e Kumanovës, projekt ky i financuar në kuadër të programit IPA.

Duke potencuar se Kumanova është një nga tetë qytetet në Republikën e Maqedonisë që kanë Stacion për pastrimin e ujërave të zeza , ministri shtoi :

„Presim që me këtë projekt të përmirësohen kushtet e qytetarëve në komunën e Kumanovës për grumbullimin dhe mënjanimin e ujërave të zeza urbane, të zgjidhen problemet e caktuara që paraqiten me rrjetin e kanalizimit, të lidhen vendbanime të caktuara me sistemin e kolektorit   të qytetit, si dhe të ndërtohet kanalizimi në disa vendbanime ku i njejti nuk ekziston Njëherit, ky projekt do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejt edhe për përmirësimin e punës së stacionit për pastrimin e ujërave të zeza.“

Punët ndërtimore, të cilat gjithashtu do të financohen përmes IPA-s dhe kofinancohen nga buxheti nacional, është paraparë të fillojnë më së voni deri në dhjetor të këtij viti përmes marrëveshjes së posaçme me firmën ndërtimore që do të zgjidhet përmes procedurës transparente tenderike.  

Është planifikuar që shpallja e tenderit për realizimin e projektit të bëhet në qershor, ndërsa aktivitetet ndërtimore pritet të fillojnë në dhjetor të këtij viti. Vet ndërtimi është në vlerë prej më shumë 5 milionë euro prej të cilëve 15% është kontribut nga buxheti shtetëror dhe 85% kontribut nga Fondet IPA të Bashkimit Europian.