Мinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ndau 2,5 milionë denarë për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit atmosferik në Dibër

debar2(30.03.2016) Мinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës së Dibrës Ruzhdi Lata, sot nënshkruan marrëveshje për financimin e projektit për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit atmosferik në qytetin e Dibrës.

Projekti i ri ka të bëjë me fazën e dytë të projektit, për realizimin e të cilit Ministria do të bashkëfinancojë 2,5 milionë denarë.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Izairi theksoi se ky nuk është projekt i parë as i fundit, të cilin Мinistria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe komuna e Dibrës bashkërisht e realizojnë. Sipas tij, Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes Мinistrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor parasheh mbështetje edhe për disa projekte tjera në rajonin më të gjerë të Dibrës.

- Mes tjerash, do ta veçoja Projektin për ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza dhe rrjetit të kanalizimit, si dhe Projektin për trajtimin rajonal të mbeturinave. Gjithnjë kemi qenë të gatshëm ta mbështesim Dibrën, aq më shumë tani, kur me projektet e realizuara të pushtetit lokal qyteti merr një pamje të re bashkëkohore që është në dobi të qytetarëve – deklaroi ministri Izairi për gazetarët.

Kryetari i komunës së Dibrës Ruzhdi Lata shprehu kënaqësinë që pas përfundimit të fazës së parë u tejkalua problemi prej disa dekadash, me të cilin përballeshin banorët dhe biznesi i Dibrës, duke shtuar se me realizimin e fazës së dytë të projektit në tërësi do të tejkalohet problemi me kanalizimin atmosferik në rajonin qendror të qytetit.