Ministri Izairi në takim pune me kryetarët e komunave të rajonit planifikues Verilindor

2(13.07.2015) Мinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, sot në Kumanovë mbajti fjalë hyrëse në fillim të takimit të punës me kryetarët e komunave të rajonit planifikues Verilindor, i organizuar me qëllim të sqarimit të detyrimeve të komunave gjatë realizimit të projektit “Përgatitja e dokumentacionit teknik dhe të tenderit për mbylljen e deponive joadekuate në rajonin Lindor dhe Verilindor të Republikës së Maqedonisë”, i cili financohet në kuadër të programit IPA.

- Për t’u realizuar të gjitha aktivitetet e ardhshme të planifikuara për financim përmes programit IPA, nevojitet që në këtë moment kryetarët e të gjitha komunave në mënyrë adekuate të marrin vendime dhe të nënshkruajnë marrëveshje që të mund gradualisht t’i mbyllim deponitë ekzistuese të paligjshme dhe të lëmë vetëm disa deponi aktive deri në momentin e ndërtimit të qendrave të reja rajonale – theksoi me këtë rast ministri Izairi.

Në këtë ngjarje u prezentuan modelet e mbylljes dhe skenarët e propozuar. Më pas, u zhvillua një diskutim lidhur me të njejtat dhe u arrit pajtueshmëri parimore nga të gjithë kryetarët e komunave të pranishëm se vendimet e miratuara do të shqyrtohen në këshillat e komunave dhe do të veprohet në mënyrë adekuate.

Vendimet parashohin që mbyllja e deponive ekzistuese dhe atyre të paligjshme të kryhet në faza dhe të bëhet identifikimi i lokacioneve për deponitë e reja rajonale, ndërsa projekti parasheh të formohen edhe ndërmarje rajonale për menaxhim me mbeturinat.

Për realizim praktik të këtyre vendimeve është i domosdoshëm intensifikimi i bashkëpunimit të komunave me ministritë kompetente dhe definimi i parametrave themelor për formimin e buxhetit dhe tarifave për menaxhim me mbeturinat.

Kryetari i komunës së Kumanovës Zoran Damjanovski, i cili njëherësh edhe kryeson me këshillin e rajonit, deklaroi se faza e parë e këtij projekti duhet të fillojë nga viti 2016 që nënkupon mbylljen e deponive të paligjshme në rajonin Verilindor. Paralelisht do të përgatitet një studim, të cilin do ta hartoj Qendra e deponisë rajonale.

- Vendimet që i morëm sot janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për rrjedhën e mëtutjeshme të këtij projekti, por edhe të projekteve të ardhshme të planifikuara që do të financohen përmes programit IPA – theksoi Izairi.