Lëshohet në përdorim stacioni i ri mobil për matjen e cilësisë së ajrit ambiental në komunën e Butelit

monitoringstanicabutel1(13.03.2018) Sot në komunën e Butelit, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit HapësinorSadulla Duraki, ambasadori i Bashkimit Evropian Samuel Zbogar, kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevski, lëshuan në përdorim stacionin e ri mobil për matjen e cilësisë së ajrit në territorin e komunës së Butelit, i cili është pjesë e rrjetit kombëtar për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit në Republikën e Maqedonisë.

Komuna e Butelit është komuna e parë që do të shfrytëzojë stacionin matës mobil për monitorimin e cilësisë së ajrit, i cili do të transferohet çdo vit në një komunë tjetër. Vitin e ardhshëm është paraparë stacioni të instalohet në komunën e Gjorçe Petrovit.

Me këtë rast, ministri Duraki deklaroi:

“Monitorimi automatik i cilësisë së ajrit do të na ndihmojë të krijojmë një bazë të të dhënave historike përmes të cilave do të jemi në gjendje të kryejmë analiza dhe t’i parashikojmë trendet që janë në funksion të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë. Prandaj, duke kompletuar rrjetin e monitorimit të cilësisë së ajrit, ne marrim një mjet të paçmuar që do të na shërbejë në planifikimin e zhvillimit të përgjithshëm të shtetit, gjë të cilën ne e konsiderojmë si një përfitim të madh për të gjithë qytetarët dhe për shoqërinë tonë në tërësi “.

Ky stacion mobil për matjen e cilësisë së ajrit, i cili fillimisht është vendosur në komunën e Butelit, në oborrin e shkollës fillore Zhivko Brajkovski, është siguruar me mbështetje financiare nga Instrumenti për ndihmë paraqasëse – IPA, si pjesë e ndihmës në procesin e harmonizimit të sferës së mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë, me standardet e BE-së. Bashkimi Evropian, gjithashtu siguroi një automjet të specializuar për kryerjen e shërbimeve të rregullta të kalibrimit dhe mirëmbajtjes, si dhe një numër instrumentesh për të përmirësuar monitorimin e cilësisë së ajrit në territorin e gjithë vendit.

Shfrytëzues i këtij projekti është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, me një vlerë prej 272,000 eurosh.