Duraki: Do të propozohen zgjidhje urgjente për deponinë në Strugë

Minister_Duraki_Struga(14.06.2017 ) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki së bashku me ministrin pa resor përgjegjës për rregullativën e përmirësimit të biznes klimës për ndërmarrjet e vendit Zoran Shapuriq dhe ministrin pa resor përgjegjës për investimet e jashtme Ramiz Merko, sot e vizituan komunën e Strugës ku biseduan dhe i shqyrtuan zgjidhjet e mundshme për sanimin e problemeve të shkaktuara nga deponia e egër në Strugë.

-  Sot jemi në Strugë për të shqyrtuar problemin me deponinë në këtë qytet, i cili kërkon zgjidhje të shpejtë. Ne si Ministri, në bazë të konkluzionit nga seanca e djeshme e Qeverisë së RM-së, morëm vendim të formojmë një komision, i cili do të punojë intensivisht për gjetjen e masave urgjente efikase dhe afatgjata për zgjidhjen e këtij problemi. Grupin punues do ta përbëjnë përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim – tha ministri Duraki, duke theksuar se Ministria në bashkëpunim me kryetarët e komunave, në periudhën që vijon do të punojë në pastrimin e të gjitha deponive të egra që kuptohet është proces, i cili kërkon kohë dhe mjete.

Për zgjidhjen e problemit të hedhjes së paligjshme të mbeturinave komunale pritet ndihmë financiare nga fondet e IPA-s.