
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot nënshkroi kontratën për furnizimin me mekanizëm special për nevojat e deponisë rajonale Rusino, në kuadër të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta.
Me kontratën, me një vlerë të përgjithshme prej 1.142.200 euro, do të furnizohet mekanizëm i plotë i domosdoshëm për menaxhim modern dhe të sigurt të mbeturinave – duke përfshirë kompaktor, ngarkues, traktor me rimorkio për ujë, kamion dhe pjesë rezervë. Ky furnizim vjen si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kërkesës që iu drejtua ministrit Mexhiti gjatë vizitës së tij të fundit në terren në deponinë Rusino, me ç’rast ai menjëherë u angazhua që të përgjigjet ndaj nevojave me mbështetje konkrete.
Financimi është siguruar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me mbështetje shtesë nga Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike i Zvicrës (SECO), Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Qeveria e Suedisë përmes SIDA-s
„Kjo blerje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së një sistemi funksional rajonal për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut. Jemi mirënjohës për mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët për vite me radhë janë aleatë tanë në përpjekjet për avancimin e standardeve mjedisore“
- deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Izet Mexhiti.
Me sigurimin e këtij mekanizmi, deponia Rusino do të mund të funksionojë sipas standardeve ekologjike, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet për mjedisin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve në rajon.