
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot nënshkroi marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut.
Këto mjete granti prej 2 milionë euro për mbështetje teknike, të siguruara përmes Instrumentit Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), janë të destinuara për zbatimin e studimeve të fizibilitetit dhe analizave mjedisore dhe sociale për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, si parakusht për ndërtimin e deponive sanitare moderne, stacioneve të transferimit dhe pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave në rajon, sipas standardeve më të larta të BE-së.
Në ngjarje morën pjesë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, Izet Mexhiti, ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, dhe Zëvendësdrejtoresha, Bankiere, Biljana Milosheska nga BERZH.
"Me mjetet për të cilat sot po nënshkruajmë marrëveshje për grant, sigurojmë përgatitje teknike për rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor, që është parakusht për ndërtimin e infrastrukturës moderne: deponi sanitare, stacione transferimi dhe sistem për menaxhim efikas të mbeturinave. Përfitimet janë konkrete – mjedis më i pastër, standarde evropiane dhe përmirësim i drejtpërdrejtë i cilësisë së jetës për qytetarët”, – deklaroi ministri Izet Mexhiti në ngjarje.
“Ky projekt paraqet një hap të rëndësishëm drejt një të ardhmeje të gjelbër dhe të qëndrueshme për vendin. Gjithashtu, është iniciativa e parë e Bankës në këtë sektor, duke mbështetur zbatimin e sistemeve për menaxhimin e mbeturinave të harmonizuara me standardet e BE-së për më shumë se një milion banorë në tre rajone planifikimi dhe 45 komuna.”
- deklaroi Biljana Milosheska nga BERZH
“Ruajtja e bukurive natyrore të Maqedonisë së Veriut kërkon një luftë të vendosur dhe rigoroze kundër mbeturinave të ngurta në nivel qendror dhe lokal. Me 2 milionë euro grant nga WBIF, ne e vazhdojmë përkushtimin e BE-së për ta ndihmuar vendin në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për përballjen me problemin e mbeturinave të ngurta. Ky është vetëm fillimi i mbështetjes financiare të vazhdueshme të BE-së për Maqedoninë e Veriut në fushën e mjedisit dhe menaxhimit të mbeturinave.”
- theksoi Ambasadori evropian Rokas
Projekti Rajonal për Mbeturinat e Ngurta, i financuar me një kredi nga BERZH prej 55 milionë euro, e nënshkruar më parë, përfshin ndërtimin e deponive sanitare, stacioneve të transferimit dhe infrastrukturës për mbledhjen e mbeturinave në disa rajone. Faza e parë, e financuar me një transh prej 47.5 milionë euro, tashmë është në fazë zbatimi dhe përfshin aktivitete në rajonin e Pelagonisë, Jugperëndimor dhe të Pollogut, ndërsa granti i sotëm mundëson përgatitjen teknike për mobilizimin e aktiviteteve edhe në rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor.
Granti është pjesë e një mbështetjeje më të gjerë financiare të siguruar nga BE-ja dhe WBIF, që përfshin edhe një grant investues prej 21.7 milionë euro, i cili do të nënshkruhet gjatë zbatimit të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta.
Me këtë hap, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor konfirmon përkushtimin e saj për një menaxhim modern, efikas dhe evropian të mbeturinave, në partneritet me institucionet ndërkombëtare dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.