
Zjarri që shpërtheu dje në objektin për riciklim të baterive dhe mbeturinave elektronike në fshatin Trubarevë është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar.
Lufta zgjati më shumë se 15 orë, dhe ekipet nga shumë institucione, me një angazhim intensiv dhe të koordinuar, arritën të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Faleminderit të gjitha institucioneve që morën pjesë në intervenim – zjarrfikësve, inspektorateve, MPB-së, Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe ekipeve tona nga Ministria e Mjedisit Jetësor, të cilët ishin të pranishëm në terren pa ndërprerje, që nga momenti i marrjes së informacionit rreth orës 14:00.
Mirënjohje e madhe për banorët e Trubarevës dhe të gjithë qytetarët për qetësinë, përgjegjësinë dhe solidaritetin që treguan, si dhe për respektimin e udhëzimeve që i dhamë si Qeveri.
Objekti në Trubarevë posedon leje valide për menaxhimin e mbeturinave, e lëshuar nga Ministria në vitin 2021, me vlefshmëri deri në vitin 2031.
Për transparencë të plotë, menjëherë u angazhuan laboratorë të akredituar për matjen e cilësisë së ajrit, si nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis, ashtu edhe nga trupa të jashtme të specializuara.
Inspektorati Shtetëror për Mjedis, sapo mori informacionin për zjarrin në orën 13:30, u drejtua në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte shpërthyer në objektin që përdoret nga subjekti juridik F-Group, në Trubarevë.
Gjatë mbikëqyrjes janë kryer matje nga laboratori i akredituar për mjedis “Euromak Control” nga Shkupi, dhe është vendosur matës 24 orësh për cilësinë e ajrit ambienal. Pastaj u bënë matje edhe nga Laboratori për Mjedis i Ministrise se Mjedisit, ndërsa në terren ishte edhe njësia speciale e ARM-së për ndotje radiobiologjike dhe kimike, e cila gjithashtu realizoi matje.
Gjatë ditës së sotme, laboratori tjetër i akredituar për mjedis “AMBIKON” pranë Universitetit në Shtip, do të kryejë matje shtesë për 5 ditët e ardhshme me vendosje të instrumentit të veçantë stacionar.
Është filluar edhe kontrolli administrativ-inspektues ndaj subjektit juridik, nga i cili do të merren të gjitha dokumentet e nevojshme. Pas përfundimit të procedurës inspektuese, të gjitha organet kompetente dhe opinioni do të informohen.
Pas përfundimit të kontrollit do të ndërmerren masa shtesë: marrje mostrash të tokës, si dhe do të porositet ekspertizë për të përcaktuar saktësisht shkallën e ndotjes së mjedisit jetësor.
Institucionet shtetërore do të mbeten në terren dhe do të vazhdojnë punën derisa të zbardhen të gjitha aspektet e rastit.
Do të jemi transparentë deri në fund. Siguria juaj është përparësia jonë.
Por, siç e dimë të gjithë, ky incident është zjarri i tretë i ndërlidhur me mbeturina në një periudhë shumë të shkurtër kohore – Trubareva ndodhi menjëherë pas rasteve në Vardarishte dhe Drisla.
Ky është një alarm i qartë që kërkon mobilizim serioz institucional, i cili tashmë ka filluar.
Presim që incidenti të zbardhet plotësisht dhe shkaqet apo përgjegjësit të bëhen publikisht të njohur.
Faleminderit.