Njoftim

Kumtesat
Zjarri që shpërtheu dje në objektin për riciklim të baterive dhe mbeturinave elektronike në fshatin Trubarevë është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar. Lufta zgjati më shumë se 15 orë, dhe ekipet nga shumë institucione, me një angazhim intensiv dhe të ko
14.09.2025
Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,

Zjarri që shpërtheu dje në objektin për riciklim të baterive dhe mbeturinave elektronike në fshatin Trubarevë është plotësisht i shuar dhe i lokalizuar. 

Lufta zgjati më shumë se 15 orë, dhe ekipet nga shumë institucione, me një angazhim intensiv dhe të koordinuar, arritën të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit. 

Faleminderit të gjitha institucioneve që morën pjesë në intervenim – zjarrfikësve, inspektorateve, MPB-së, Qendrës për Menaxhim me Kriza dhe ekipeve tona nga Ministria e Mjedisit Jetësor,  të cilët ishin të pranishëm në terren pa ndërprerje, që nga momenti i marrjes së informacionit rreth orës 14:00. 

Mirënjohje e madhe për banorët e Trubarevës dhe të gjithë qytetarët për qetësinë, përgjegjësinë dhe solidaritetin që treguan, si dhe për respektimin e udhëzimeve që i dhamë si Qeveri. 

Objekti në Trubarevë posedon leje valide për menaxhimin e mbeturinave, e lëshuar nga Ministria në vitin 2021, me vlefshmëri deri në vitin 2031. 

Për transparencë të plotë, menjëherë u angazhuan laboratorë të akredituar për matjen e cilësisë së ajrit, si nga Inspektorati Shtetëror për Mjedis, ashtu edhe nga trupa të jashtme të specializuara. 

Inspektorati Shtetëror për Mjedis, sapo mori informacionin për zjarrin në orën 13:30, u drejtua në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte shpërthyer në objektin që përdoret nga subjekti juridik F-Group, në Trubarevë. 

Gjatë mbikëqyrjes janë kryer matje nga laboratori i akredituar për mjedis “Euromak Control” nga Shkupi, dhe është vendosur matës 24 orësh për cilësinë e ajrit ambienal. Pastaj u bënë matje edhe nga Laboratori për Mjedis i Ministrise se Mjedisit, ndërsa në terren ishte edhe njësia speciale e ARM-së për ndotje radiobiologjike dhe kimike, e cila gjithashtu realizoi matje. 

Gjatë ditës së sotme, laboratori tjetër i akredituar për mjedis “AMBIKON” pranë Universitetit në Shtip, do të kryejë matje shtesë për 5 ditët e ardhshme me vendosje të instrumentit të veçantë stacionar. 

Është filluar edhe kontrolli administrativ-inspektues ndaj subjektit juridik, nga i cili do të merren të gjitha dokumentet e nevojshme. Pas përfundimit të procedurës inspektuese, të gjitha organet kompetente dhe opinioni do të informohen. 

Pas përfundimit të kontrollit do të ndërmerren masa shtesë: marrje mostrash të tokës, si dhe do të porositet ekspertizë për të përcaktuar saktësisht shkallën e ndotjes së mjedisit jetësor. 

Institucionet shtetërore do të mbeten në terren dhe do të vazhdojnë punën derisa të zbardhen të gjitha aspektet e rastit. 

Do të jemi transparentë deri në fund. Siguria juaj është përparësia jonë. 

Por, siç e dimë të gjithë, ky incident është zjarri i tretë i ndërlidhur me mbeturina në një periudhë shumë të shkurtër kohore – Trubareva ndodhi menjëherë pas rasteve në Vardarishte dhe Drisla. 

Ky është një alarm i qartë që kërkon mobilizim serioz institucional, i cili tashmë ka filluar. 

Presim që incidenti të zbardhet plotësisht dhe shkaqet apo përgjegjësit të bëhen publikisht të njohur. 

 

Faleminderit.

 

Submitted by alfa4 on 14.09.2025 - 15:30