Nuk ka rritje të rrezatimit në tokë dhe ajër pas zjarrit në Trubarevë, njofton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)

Lajme
Gjatë ditës së sotme, ISHP ka pranuar rezultatet për ajrin dhe tokën nga testet për rrezatim jonizues (radiacion)
Nuk ka rritje të rrezatimit në tokë dhe ajër pas zjarrit në Trubarevë, njofton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP)
15.09.2025

Nga Instituti i Shëndetit Publik informojnë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Inspektoratin për Mjedis Jetësor, Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera kompetente të shtetit pas zjarrit në Trubarevë.

ISHP njofton se gjatë ditës së djeshme ka dërguar një ekip të trajnuar ekspertësh për kontroll të jashtëzakonshëm në zonën e prekur.

“Janë marrë mostra nga uji, toka dhe ajri për testim të radioaktivitetit, si dhe mostra nga uji i rrjetit të ujësjellësit, puse dhe toka për analizë fiziko-kimike. Gjatë ditës së sotme, ISHP ka pranuar rezultatet për ajrin dhe tokën nga testet për rrezatim jonizues (radiacion), dhe ato janë brenda vlerave normale referuese, pa devijime”, thuhet në njoftim.

Rezultatet nga mostrat e ujit për testim të rrezatimit jonizues, sipas metodës me të cilën po kryhet analiza, do të jenë të disponueshme gjatë ditës së nesërme.
Sa i përket analizës fiziko-kimike të ujit, nuk ka devijime në vlerat për metalet e rënda. Në mostrat e marra nga uji është evidentuar vetëm një tregues për përmbajtje të rritur të lëndëve organike në ujërat nëntokësore, të cilat vijnë nga burime të tjera.

Për mostrat e marra nga toka për praninë e metaleve të rënda, rezultatet, sipas metodës së analizës, do të jenë të gatshme gjatë ditës së nesërme.

Galeria
Submitted by alfa4 on 15.09.2025 - 22:01