
Negotinë, 09.07.2025 – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, z. Izet Mexhiti, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të interkonektorit të gazit me Greqinë – një projekt strategjik për sigurinë energjetike dhe integrimin rajonal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në praninë e përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, një delegacioni nga Republika e Greqisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe qytetarëve, Mexhiti theksoi se interkonektori nuk është vetëm një investim infrastrukturor, por simbolizon fillimin e një kapitulli të ri për Maqedoninë e Veriut – një kapitull për një të ardhme më të sigurt, më të shëndetshme dhe më të përgjegjshme.
„Me ndërtimin e këtij interkonektori, Maqedonia e Veriut dërgon një mesazh të qartë se e di drejtimin, aleatët dhe të ardhmen që po ndërton. Ky është një investim me përfitime të vërteta ekologjike – qasja në gazin natyror do të mundësojë zëvendësimin e burimeve më ndotëse të energjisë, si druri, mazuti dhe qymyri, veçanërisht në komunat ku ende përdoren,“
– theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, z. Izet Mexhiti.
Përmes këtij projekti mundësohet ulja e grimcave PM në ajër, përmirësimi i sistemit shëndetësor publik, ulja e kostove energjetike për qytetarët dhe ekonominë, si dhe rritja e stabilitetit energjetik në nivel kombëtar dhe rajonal, shtoi Mexhiti.
„Ky interkonektor është pjesë e një vizioni më të gjerë që udhëheq Maqedoninë e Veriut – një vizion për një shtet bashkëkohor, të integruar dhe të hapur, që është faktor aktiv i stabilitetit dhe zhvillimit rajonal. I njëjti vizion qëndron pas realizimit të projekteve strategjike si Korridori 8,“
– deklaroi Mexhiti.