
Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, së bashku me Besa Tateshin – udhëheqëse e Njësisë për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes pranë MMJPH-së, sot në Probishtip morën pjesë në një takim pune me kompanitë e rajonit, i cili u mbajt në fabrikën e akumulatorëve “TAB MAK”.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga kompanitë “TAB MAK”, “Miniera Bulmak 2016” dhe “Cranfield”. Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe produktive, ku u prezantua Ligji i ri për kontrollin e emisioneve industriale dhe u shqyrtuan sfidat që do të dalin nga zbatimi i tij, si për kapacitetet industriale, ashtu edhe për Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe vetëqeverisjet lokale.
Gjithashtu, u hap diskutimi për procedurat e lidhura me dhënien e lejeve të integruara A, me qëllim të harmonizimit të hershëm dhe lehtësimit të proceseve.
Në deklaratën e saj, zëvendësministrja Lashkoska theksoi: “Këto takime kanë një rëndësi të madhe sepse na mundësojnë që së bashku me kapacitetet industriale të harmonizojmë hapat tanë dhe të sigurojmë një zbatim më efikas të ligjeve, duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit dhe në një cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët.”
Takimi përfundoi me pajtim të përbashkët se dialogu i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat janë kyçe për zbatimin e suksesshëm të standardeve ekologjike dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.