
Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, si pjesë e delegacionit maqedonas të kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, po merr pjesë në Konferencën e tretë të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara për Oqeanin.
Delegacioni ynë po merr pjesë me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron, i cili është bashkëkryesues së bashku me Kosta Rikën. Në prani të një numri të madh liderësh botërorë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, po diskutohet për nevojën e arritjes së paqes me natyrën, si një nga parakushtet kryesore për mirëqenien e njerëzimit.
Maqedonia është nënshkruese e Konventës për diversitetin biologjik dhe merr pjesë aktive në përpjekjet globale për ruajtjen e biodiversitetit. Si pjesë e obligimeve të saj, vendi po e përditëson Strategjinë Kombëtare me plan veprimi për biodiversitetin në mënyrë që të harmonizohet me qëllimet e Kornizës globale për biodiversitet Kunming-Montreal. Kjo përfshin përcaktimin e objektivave kombëtare për ruajtjen e biodiversitetit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe mobilizimin e mjeteve financiare për zbatimin e aktiviteteve.
Si shtet, japim mbështetje për iniciativat ndërkombëtare që janë në përputhje me rrjetin global Kunming-Montreal, siç është edhe rasti me Marrëveshjen për mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit detar në zona jashtë juridiksionit kombëtar.Në një ceremoni të veçantë, Siljanovska-Davkova do ta nënshkruajë Marrëveshjen në kuadër të Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit detar në zona jashtë juridiksionit kombëtar (BBNJ), e cila u miratua në Nju Jork më 19 qershor 2023 dhe konsiderohet si çelës për arritjen e qëllimit global.