
Shkup, 09 maj 2025 Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, iu bashkua aksionit nacional për pastrimin e mbeturinave “Fundjava e Pastrimit”, që këtë vit nisi me pastrimin e Akvaduktit të Shkupit – monument historik e kulturor me rëndësi të veçantë për qytetin.
Aksioni, i organizuar nga Men & Mountain, me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve tjera shtetërore, përfshiu mbi 200 vullnetarë, ndërsa do të zhvillohet në më shumë se 500 lokacione në të gjithë vendin, me pjesëmarrjen e mbi 20.000 qytetarëve.
“Në rrugën tonë drejt Evropës, duhet të sillemi në mënyrë evropiane. Mjedisi dhe trashëgimia kulturore kërkojnë respekt, kujdes dhe veprim të përbashkët. Këto iniciativa tregojnë fuqinë e përgjegjësisë qytetare dhe bashkëpunimit të mirë. Mbështetja jonë si Ministri dhe si Qeveri është e pakushtëzuar”
- deklaroi Mexhiti.
Në ngjarje morën pjesë edhe Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova, ministrja e Arsimit Vesna Janevska, përfaqësues nga BNJVL, komunat e Kisela Vodës dhe Çairit, Birraria e Shkupit, Kryqi i Kuq, ambasadorë, personalitete publike dhe shumë vullnetarë.
Aksioni vazhdon më 10 dhe 11 maj, me përfshirjen e institucioneve, shkollave, organizatave qytetare dhe individëve nga i gjithë vendi – me qëllim ngritjen e vetëdijes publike dhe krijimin e një mjedisi më të pastër, më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë.