
Me parada me biçikleta në disa qytete të vendit, në të cilat morën pjesë qytetarë, nxënës, rekreativ, entuziastë dhe dashamirës të çiklizmit dhe ecjes, sot në vendin tonë u shënua 22 Shtatori – Dita Ndërkombëtare pa Automjete dhe përfundimi i Javës Evropiane të Lëvizshmërisë (JEL). Këtë vit fushata u zhvillua me temën “Lëvizshmëri për të gjithë”.
Fushata bën thirrje për qasje në opsione të qëndrueshme transporti për të gjithë, pavarësisht të ardhurave, vendndodhjes, gjinisë apo aftësive të tyre dhe ka për qëllim të promovojë format alternative, të qëndrueshme dhe të përbashkëta të transportit si mënyrë për të zvogëluar përdorimin e makinave dhe për të reduktuar emetimet e gazeve të dëmshme në ajër, duke realizuar kështu vizionin e strategjisë evropiane për dekarbonizim.
Qëllimi është të përcillet një mesazh i fuqishëm se duhet nxitur sinergjia mes njerëzve dhe vendeve, dhe të shfrytëzohet ekspertiza, kreativiteti dhe përkushtimi i tyre në ngritjen e vetëdijes për lëvizshmëri të qëndrueshme dhe në promovimin e ndryshimeve të sjelljes, në dobi të lëvizshmërisë aktive.
Në vitin 2025, Java Evropiane e Lëvizshmërisë na nxiti të aspirojmë dhe të ndërtojmë një shoqëri ku shërbimet e transportit janë të qasshme, të arritshme, të përballueshme, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta. Tema e këtij viti pasqyron nevojën e të gjithë banorëve në Evropë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, por edhe të punojmë, të kontribuojmë si qytetarë dhe aktorë shoqërorë për të krijuar kushte ku transporti publik, ecja dhe çiklizmi të jenë opsione të qëndrueshme për të gjithë.
Në paradat me biçikleta nëpër rrugët dhe bulevardet e qyteteve Veles, Prilep, Strugë, Strumicë, Kavadar, Koçan dhe Manastir, u bashkuan edhe shumë qytetarë, të cilët me pjesëmarrjen e tyre treguan se përdorimi i biçikletave dhe ecja po bëhen gjithnjë e më të pranueshme si mënyra më të shëndetshme dhe më ekonomike për lëvizje nëpër hapësirat urbane.
Java Evropiane e Lëvizshmërisë u mbajt nga 16 deri më 22 shtator, nën patronazhin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si koordinator kombëtar, ku zyrtarisht morën pjesë 7 qytete nga vendi.
Si informacion, këtë vit në Javën Evropiane të Lëvizshmërisë morën pjesë me aktivitetet e tyre 2473 qytete nga 46 shtete të Evropës dhe botës.