Mexhiti në MEF 2025

Lajme
“Tranzicioni energjetik duhet të ecë bashkë me drejtësinë mjedisore dhe interesin publik”
Mexhiti në MEF 2025
16.06.2025
MEF Energy Forum 2025 – një forum rajonal i dedikuar tranzicionit energjetik dhe sfidave klimatike në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 16 qershor 2025  Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mbajti një fjalim në hapjen solemne të MEF Energy Forum 2025 – një forum rajonal i dedikuar tranzicionit energjetik dhe sfidave klimatike në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalimin e tij hyrës, ministri Mexhiti dha një mesazh të qartë: “E ardhmja energjetike e rajonit nuk duhet të ndërtohet në dëm të mjedisit, shëndetit të qytetarëve dhe drejtësisë sociale.”

“Ballkani Perëndimor nuk ka luksin të zgjedhë mes zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë mjedisore. Të dyja duhet të ecin së bashku – përndryshe nuk do të shkojmë askund”

  - tha Mexhiti para pjesëmarrësve të forumit.

Ai gjithashtu theksoi se Ministria e Mjedisit Jetesor dhe Planifikimit Hapësinor tashmë po punon për harmonizimin e kornizës nacionale mjedisore dhe energjetike me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe objektivat globale të Marrëveshjes së Parisit. Por paralajmëroi se zbatimi duhet të jetë: i shpejtë, i drejtë dhe transparent, sepse, siç tha ai, pasojat e ndryshimeve klimatike tashmë i ndjejmë, dhe tranzicioni nuk duhet t’i lërë pas komunitetet më të cenueshme.

Në fund të fjalës së tij, Mexhiti bëri thirrje për bashkëpunim rajonal, investime në teknologji të pastra dhe rezultate konkrete, në vend të zotimeve deklarative:

“Nuk mund të flasim për siguri energjetike nëse njëkohësisht i ndotim lumenjtë, ajrin dhe tokën. Nuk na mjaftojnë vetëm qëllimet e mira – na duhen politika të guximshme. Qytetarët presin rezultate, ndërsa kjo temë kërkon veprim – sa më parë, aq më mirë.”

MEF Energy Forum 2025 po mbahet në Shkup, nën organizimin e ZIP Institute, me mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe disa partnerëve ndërkombëtarë

Submitted by alfa4 on 16.06.2025 - 04:34