INFORMATË PËR MEDIA 02.10.2019

Interpretimi i të dhënave mbi koncentrimin e grimcave të suspenduara PM10

Prania e koncentrimeve të grimcave të suspenduara në ajrin ambiental, me madhësi deri në dhjetë mikrometra (PM10), përcillet përmes Sistemit automatik shtetëror të monitorimit të cilësisë së ajrit, i cili përbëhet nga gjithsej 18 stacione matëse që japin të dhëna mbi koncentrimet në interval prej një ore (near-to-real-time). Në sistemin automatik të monitorimit, të dhënat njëorëshe përpunohen dhe si rezultat i kësaj fitohen të dhëna/koncentrime mesatare ditore .

Vlerat e arritura të koncentrimeve të matura njëorëshe për PM10, sipas standardeve nuk krahasohen me vlerën kufitare mesatare ditore për PM10 (50 mg/m3). Kjo vlerë paraqet vlerë kufitare ditore (jo njëorëshe) dhe shërben për t’u krahasuar me koncentrimin mesatar ditor të grimcave PM10 për ditën përkatëse, e cila arrihet duke llogaritur vlerën mesatare të koncentrimeve të grimcave PM10 të matura brenda 24 orëve.

Pragu i informimit dhe alarmit për grimcat e suspenduara PM10

Në legjislacionin kombëtar janë përcaktuar pragjet e informimit dhe të alarmit për rastet kur grimcat e koncentruara me madhësi deri në dhjetë mikrometra – PM10 e tejkalojnë vlerën kufitare.

Pragu i informimit konsiderohet i tejkaluar nëse për 2 ditë rresht, koncentrimi mesatar ditor i PM10 është 100 mikrogramë për metër kub dhe nga Enti Hidrometeorologjik është marrë një parashikim i qëndrueshëm i motit për periudhën në vijim. Në atë rast, njoftohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Qendra për Menaxhimin e Krizave, EHM dhe Komuna ku është tejkaluar pragu. E njëjta publikohet në faqen e internetit për cilësinë e ajrit dhe jepen rekomandime për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Pragu i alarmit konsiderohet i tejkaluar nëse për 2 ditë rresht, koncentrimi mesatar ditor i PM10 është 188 mikrogramë për metër kub dhe nga Enti Hidrometeorologjik është marrë një parashikim i qëndrueshëm i motit për periudhën në vijim. Në këtë rast, njoftohet Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Qendra për Menaxhimin e Krizave, EHM, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, komunat ku është tejkaluar pragu, Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Qeverisë së RMV, Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mediave. E njëjta publikohet në faqen e internetit për cilësinë e ajrit. Jepen rekomandime dhe zbatohen masat për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve në përputhje me konkluzionet e Draft- procesverbalit të Sesionit të 40-të të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbajtur më 28.11.2017.