Progres në procesin e shpalljes së një pjese të Malit Sharr për park kombëtar

Me iniciativën e MMJPH-së, Qeveria, në Seancën e djeshme të 15-të , u angazhua për përshpejtimin e procedurës për shpalljen e një pjese të Malit Sharr për park kombëtar. Përkatësisht, sipas informacionit të MMJPH-së për nevojën e shpalljes së një pjese të Malit Sharr si zonë e mbrojtur në kategorinë e Parkut kombëtar, i cili u pasua me përgatitjen e Studimit për valorizimin e vlerave natyrore të Malit Sharr, Qeveria u rekomandoi të gjithë sektorëve të përfshirë në përgatitjen e statusit të Parkut kombëtar (ekonomisë, pylltarisë, gjuetisë, energjisë, transportit, mbrojtjes, turizmit, etj) brenda 15 ditëve të paraqesin mendimin e tyre.

Sidoqoftë, do të duhet kohë për të përfunduar procedurën pasi vetë procedura ka disa hapa.
Hapat e ardhshëm janë:
1. Pas marrjes së mendimeve nga të gjitha institucionet përkatëse, MMJPH-ja duhet të përgatisë një informacion të harmonizuar për nevojën e shpalljes së Malit Sharr për zonë të mbrojtur në kategorinë e parkut kombëtar dhe një propozim të tillë të harmonizuar t’ia paraqesë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
2. Qeveria duhet të marrë një Vendim mbi pranueshmërinë e propozimit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr në kategorinë e parkut kombëtar.
3. Në përputhje me nenin 135 paragrafi 2 i Ligjit për mbrojtjen e natyrës dhe aktit për shpalljen e parkut kombëtar, menaxhimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e parqeve kombëtare e kryen institucioni publik – Parku Kombëtar. Prandaj, Qeveria e RMV-së do të duhet të krijojë Institucionin Publik Parku Kombëtar – Mali Sharr.
4. MMJPH pas vendimit të Qeverisë për pranueshmërinë e propozimit për shpalljen e një pjese të Malit Sharr në kategorinë e parkut kombëtar, duhet të përgatisë një akt shpalljeje.
5. MMJPH duhet të realizojë debat publik për propozimin.
6. MMJPH duhet të përgatisë propozim përfundimtar që përmban mendimin e debatit publik dhe aktin e shpalljes së zonës së mbrojtur dhe si të tillë t’ia paraqesë Qeverisë për shqyrtim dhe miratim dhe veprim të mëtutjeshëm nga ana e Kuvendit të RMV-së.