
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mbrëmë (23.09.2025) ka vizituar fshatin Straçincë të Shkupit, ku ka takuar banorët e këtij vendbanimi, të cilët protestojnë kundër nisjes me punë të gurrores në këtë vendbanim.
Mexhiti i njoftoi banorët se ministria që drejton ai ka dhënë vendim negativ për kërkesën e hapjes së gurrores në rajonin e Straçincës.
Ky vendim, tha Mexhiti, vjen si rezultat i shqetësimeve të vazhdueshme të banorëve dhe analizave të kryera nga institucionet përkatëse mbi ndikimin negativ që do të kishte një aktivitet i tillë në kushte vërshimesh, por edhe për shëndetin dhe jetën e këtyre banorëve.
“Ky është një lajm i shumëpritur për banorët e Straçincës, të cilët me vite kanë qenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm të gurrores në mjedisin dhe jetesën e tyre”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se leje për punë është dhënë vite më parë nga qeveritë e kaluara.
Hapi i radhës, sipas tij, është shfuqizimi përfundimtar i koncesionit, i cili është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.
Ky vendim do të përmbyllë zyrtarisht çështjen, duke e kthyer drejtësinë në anën e banorëve.
Për më tepër, Mexhiti theksoi angazhimin për pyllëzimin e sërishëm të kësaj zone.