Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor prezantoi llogaridhënien për vitin e parë të qeverisjes

Lajme
Mexhiti: Një vit pune e përkushtuar për një mjedis të pastër
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor prezantoi llogaridhënien për vitin e parë të qeverisjes
25.06.2025

Shkup, 25.06.2025 Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sot prezantoi raportin vjetor për punën e saj, me fokus në reforma sistematike, rezultate të matshme dhe harmonizim me legjislacionin evropian.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti, në konferencë për media me rastin e njëvjetorit të formimit të Qeverisë, i prezantoi arritjet kryesore të 12 muajve të fundit, të ndara sipas sektorëve:

Infrastruktura: Filloi projekti më i madh infrastrukturor për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimeve në 80 komuna, me mbështetje prej 50 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime.

Ujërat e ndotura: Ndërtimi i stacioneve për pastrimin e ujërave të ndotura në Shkup dhe Manastir, si dhe përgatitje për sisteme të reja në Tetovë, Shtip, Veles, Vinicë dhe Koçan.

Ajër i pastër: U miratua Plani për Ajër të Pastër 2024–2030 me përkrahje prej 10 milionë euro nga BE; janë siguruar 6 autobusë ekologjikë dhe janë zëvendësuar sistemet e vjetra të ngrohjes në katër qytete.

Monitorim dhe kontroll: Janë përforcuar sistemet për monitorimin e cilësisë së ajrit, janë vendosur kontrolle më të rrepta ndaj kapaciteteve industriale dhe është përmirësuar inspektorati mjedisor.

Mbetjet: Me 55 milionë euro nga BERZH po ndërtohen qendra rajonale për menaxhimin e mbetjeve, të shoqëruara me një Strategji Kombëtare të re për Mbetjet (2024–2036).

Biodiversiteti: Është rritur territori i mbrojtur nga 11.5% në 13.9%; është shpallur Parku Kombëtar i Malit Sharr, janë përgatitur dokumentet për shpalljen e Jabllanicës dhe është realizuar rivlerësimi i Parkut të Mavrovës.

Mbështetje financiare për të gjitha komunat: Janë ndarë dërgesa kapitale për projekte mjedisore bazuar në kritere transparente, pa ndikime politike.

Partneritete ndërkombëtare: Projekte në kuadër të SIDA, BERZH, LIFE dhe IPA të BE-së, si dhe mbështetje për mbrojtjen e ujërave nëntokësore nga Zvicra (4.6 milionë CHF).

Sipërfaqe të gjelbra: Janë mbjellë mbi 6.000 pemë në zona urbane; janë nënshkruar marrëveshje me komuna për projekte me vlerë prej 628 milionë denarë.

Fokus te e ardhmja: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, deklaroi z. Mexhiti, mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një sistemi funksional, të drejtë dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo strategji do të matet përmes cilësisë së ajrit që thithim, ujit që përdorim, natyrës që ruajmë dhe mirëqenies që garantojmë për brezat që vijnë”
- tha Mexhiti.
Galeria
Submitted by alfa4 on 26.06.2025 - 11:16