NUREDINI: Çdo gjë që është më e lirë nuk është më e mirë për qytetarët

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini së bashku me zëvendësambasadoren e Suedisë Bibi Gramson dhe Drejtoren Ekzekutive të Eko-ndërgjegjësimi Ana Çoloviq iu bashkuan mbjelljes së fidaneve në parkun e qytetit në Shkup, nga ku u përcollën mesazhe për rëndësinë e sistemimit dhe mbjelljes së planifikuar të gjelbërimit urban në trajtimin e ndotjes së ajrit të ambientit dhe trajtimit të ndryshimeve klimatike.1

“Sot, përmes mbjelljes simbolike të fidaneve këtu në parkun e qytetit në Shkup, dua që së bashku të kujtojmë rëndësinë dhe rolin e gjelbërimit urban në cilësinë e jetesës sonë. Gjelbërimi urban luan një rol të rëndësishëm në pastrimin e ajrit, i cili veçanërisht në këtë periudhë të vitit, pritet të jetë nën presion të madh për shkak të vendndodhjes së kryeqytetit, urbanizimit të intensifikuar, e tashmë edhe për shkak të krizës energjetike. Gjelbërimi duhet të ruhet, mirëmbahet dhe zgjerohet kudo që të jetë e mundur, duke përfshirë edhe shtëpitë tona.2

Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi dhe të apeloj deri tek qytetarët dhe institucionet, që të jemi të ndërgjegjshëm duke treguar aftësinë për t’u përshtatur. Le të bëjmë zgjidhje të zgjuara jo vetëm në mënyrën e ngrohjes, duke zgjedhur lëndë djegëse më efikase për mjedisin jetësor, por edhe në përdorimin e mençur të automjeteve dhe asgjësimin e duhur të mbeturinave si faktorë kyç të ndotjes, sepse në fund të ditës të gjithë e thithim ajrin e njëjtë. E drejta për një mjedis jetesor të pastër dhe të shëndetshëm është e drejta jonë, por edhe detyrim i secilit prej nesh ndaj mjedisit ku jetojmë”- tha ministri Nuredini.

Në pyetjen e gazetarëve nëse pritet rritje e ndotjes, ministri Nuredini tha:3

- Fatkeqësisht kemi ndotje, por nëse shikojmë si ka qenë vitet e kaluara kemi një ulje të ndotjes së ajrit. Do të thotë që politikat tona që po përpiqemi të ndryshojmë ngrohjen e spitaleve, stacionet e policisë, kopshteve dhe shkollave kanë një efekt pozitiv. Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë nesër, por duhet të them se jemi në krizë energjetike, i kuptoj edhe qytetarët që janë më të rrezikuar në kriza të tilla, por apeloj për ndërgjegjësim nga të gjitha institucionet, sektori privat dhe qytetarët.4

Lidhur me kërkesat e kompanive të caktuara për ndërrimin e derivateve, Nuredini ka theksuar se për këtë ka procedura strikte ligjore dhe ligjet vlejnë për të gjithë. Nuredini ka theksuar se kompanitë duhet të vazhdojnë të përdorin gazin, sepse siç tha ai, çdo gjë që është më e lirë nuk do të thotë se është e mirë për qytetarët.

Mbështetje për aksionin ka dhënë edhe NP “Parqe dhe Gjelbërim”, e cila do të vazhdojë të kujdeset për gjelbërimin e rinovuar në park.