Ministri Ameti në promovimin e projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në k. e Kumanovës

minister-ameti1(Më 05.10.2016) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Bashkim Ameti, sot, mori fjalën në promovimin e projektit të IPA-s “Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrjetit të kanalizimit në komunën e Kumanovës” në kuadër të të cilit kryhet rehabilitimi /zëvendësimi i pjesëve kritike të identifikuara në sistemin ekzistues të kanalizimit në Kumanovë -ndërtimi i tubacioneve të kanalizimit të ri në zonat të cilat për momentin nuk janë të mbuluara me shërbimet e grumbullimit të ujërave të zeza.

Në fjalimin e tij , Ministri Ameti theksoi se me realizimin e këtij projekti do të rritet numri i banorëve të cilët do të kyçen në sistemin e kanalizimit dhe të stacionit ekzistues për trajtim dhe me këtë do të reduktohet efekti negativ mbi resurset ujore, natyrën dhe si rrjedhojë e kësaj edhe mbi shëndetin e banorëve.

- Përmes zbatimit të këtij projekti, presim që të përmirësohen kushtet për qytetarët e komunës së Kumanovës, përkatësisht grumbullimi dhe largimi i ujërave të zeza urbane, të zgjidhen probleme të caktuara të cilat dalin në pah me rrjetin e kanalizimit, të ndërlidhen vendbanime të caktuara me sistemin kolektoral të qytetit, si dhe të ndërtohet kanalizimi në disa vendbanime ku i njëjti nuk ekziston. Njëherësh, projekti drejtpërdrejt do të kontribuojë edhe drejt përmirësimit të punës së stacionit për trajtimin e ujërave të zeza në Kumanovë i cili ishte ndërtuar   disa vite më parë – shtoi ai.

Në këtë event mori fjalën edhe zv.kryeministri për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, ambasadori i BE-së në Maqedoni E.T. Samuel Zhbogar dhe kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor këtë projekt e zbaton me mbështetjen e Delegacionit të BE-së dhe Ministrisë së Financave.