Konferenca ministrore në Shkup hap i rëndësishëm drejt Samitit të klimës në Paris 2015

PFZ_4454(06.11.2015)Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, hapi sot konferencën ministrore „Drejt Samitit të klimës në Paris 2015, sfida për shtetet anëtare të CEI“, në të cilën mbi 150 pjesëmarrës të rangut të lartë, ndër të cilët 9 delegacione në nivel ministror nga shtetet anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), 16 përfaqësues të ambasadave në RM, si dhe shumë institucione shkencore , organizata joqeveritare ndërkombëtare dhe të vendit, këmbyen përvoja dhe pikëpamje lidhur me sfidat me të cilat po përballen shtetet anëtare të CEI-t në përpjekjet për rritjen e ulët të karbonit.

- Ideja jonë është që përmes prezentimit të të ashtuquajturave “Kontribute adekuate nacionale për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike “ të arrijmë konkluzione të përbashkëta për mënyrat e veprimit të përbashkët midis politikave klimatike, energjetike dhe të tjera – deklaroi ministri Izairi në fjalën e tij hyrëse.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë e miratoi Kontributin adekuat nacional për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike,i cili iu dorëzua Sekretariatit të UNFCCC-së si shteti i 23-të në botë. Kontributi nacional parasheh të zvogëlohen emisionet e dioksidit të karbonit nga djegia e lëndëve djegëse fosile për 30%, gjegjësisht për 36% në një nivel më të lartë të ambicies, deri në vitin 2030 në raport me skenarin referent.

Në periudhën prej vitit 2015-2030 për realizimin e skenarit për zbutjen e ndryshimeve klimatike, investimet e nevojshme shtesë janë vlerësuar në 4,2 miliardë euro, ndërsa për realizimin e skenarit më ambicioz për zbutjen e ndryshimeve klimatike në 4,5 miliardë euro.

Realizimi i qëllimeve të vëna nga konferenca, njëherësh edhe implementimi i politikave naconale dhe masave për zbutjen e ndryshimeve klimatike do të varet edhe nga përfshirja e sektorit privat, nga qasja në burimet e reja të financimit dhe mbështetja e shtuar ndërkombëtare.

Në konferencë u miratua edhe Deklarata, me të cilën u shpreh gatishmëria e përbashkët për bashkëpunim në drejtim të arritjes së rritjes “më të gjelbër” për rajonin e CEI-t

Në pjesën e dytë të konferencës u mbajt tryezë e rrumbullakët ku panel diskutimet ishin fokusuar në temat: Roli i shkencës si nxitëse e emisioneve të ulëta të CO2; nevoja për reforma në sistemin arsimor në drejtim të përgatitjes së gjeneratave të ardhshme për sfidat që kanë të bëjnë me klimën; ngritja e vetëdijes së publikut përmes ndërtimit të filozofisë për shoqëri me karbon të ulët tek çdo individ; dhe pranimi i modelit të ekonomisë me karbon të ulët dhe të ngjashme.

Mbajtja e konferencës u ndihmua nga Sekretariati i CEI-t, Qendra rajonale e mjedisit jetësor, Milieukontakt dhe Programi për zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Fjalime përshëndetëse në konferencë mbajtën edhe nënkryetari   Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Fatmir Besimi, ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Popovski, këshilltari i posaçëm i Sekretarit të përgjithshëm të CEI-t Roso Çiçona, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë Luiza Vinton dhe shefi i Departamentit të delegacionit të BE-së Mauro di Veroli.