Ministri Nuredini realizoi takim me euroambasadorin Samuel Zhbogar

31.08.2020Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, në ditën e parë të mandatit të tij të ri, u takua me euroambasadorin në largim Samuel Zhbogar.

Duke shprehur kënaqësinë e ndërsjellë nga bashkëpunimi i deritanishëm, ministri Nuredini informoi për statusin e implementimit të projekteve nga fusha e mjedisit të mbështetura nga Bashkimi Evropian përmes programeve IPA. Gjatë kësaj Nuredini, duke shprehur shpresë se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në periudhën pas largimit të Zhbogarit, theksoi se do të bëjë përpjekje serioze për të përmbushur standardet evropiane në lëminë e mjedisit, përmes politikave të koordinuara strategjike dhe ndërtimit të sinergjive me të gjitha burimet në dispozicion.

Si prioritete, ai potencoi ndotjen e ajrit, menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave të ndotura, mbrojtjen e natyrës dhe sigurimin e ujit të pijshëm.

Duke shprehur kënaqësinë me angazhimin e Ministrit dhe Ministrisë në përmbushjen e detyrimeve sipas Kapitullit 27, si përgatitje e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe me progresin në zbatimin e projekteve duke përdorur asistencën financiare të BE-së përmes programeve IPA, euroambasadori Zhbogar përgëzoi Ministrin Nuredini për emërimin dhe i uroi suksese në arritjen e qëllimeve të përcaktuara.